Në bazë të legjislacionit civil shqiptar, ligjit Nr. 8788 datë 07.05.2001 “Për organizatat Jofitimprurëse”, të ndryshuar dhe ligjit Nr. 8789 datë 07/05/2001 "Për Rregjistrimin e Organizatave Jofitimprurëse", me vullnetin tonë të lirë miratojmë statutin e Agjencisë si më poshtë:

“STATUTI I AGJENCISË SË ADMINISTRIMIT KOLEKTIV TË TË DREJTAVE TË AUTORËVE NË FUSHËN E KINEMATOGRAFISË DHE TË VEPRAVE TË TJERA AUDIOVIZUALE- F.M.A.A.”

 

Neni 1

Emri, Forma, Selia dhe Simbolet

 

  1. Emri i organizatës është “AGJENCIA E ADMINISTRIMIT KOLEKTIV TË TË DREJTAVE TË AUTORËVE NË FUSHËN E KINEMATOGRAFISË DHE TË VEPRAVE TË TJERA AUDIOVIZUALE” në formë të shkurtuar: “FMAA”.

 

  1. Forma e organizatës është ajo e Agjencisë.

 

  1. Selia e Agjencisë ndodhet në Tiranë, në adresën Rruga“Sami Frasheri”, Pall. Agimi; Shk.19, Ap. 338. Emal: Agjencia.alb@gmail.com; ëebsite: ëëë.Agjencia-alb.com, nr. Tel/fax +355 4222 38 30.

 

  1. Agjencia ka vulën dhe emblemën e saj.
  2. a) Vula e Agjencisë është:
  3. b) Emblema e Agjencisë është:

Neni 2

Qëllimi i veprimtarisë së Agjencisë

 

  1. AGJENCIA ka për qëllim mbrojtjen e të drejtave të autorëve anëtarë të vet, krijues dhe bashkëkrijues të veprave audiovizuale – në zërat:
  • Regji,
  • Skenar,
  • Drejtor Fotografie/Operator,

me të gjitha mjetet ligjore dhe praktike sipas parashikimeve të kuadrit ligjor ekzistues në Republikën e Shqipërisë.

 

  1. Agjencia është organizatë e pavarur jofitimprurëse, që ka për qëllim të sigurojë mekanizma e realizojë veprimtari për përmbushjen e qëllimit dhe të veprimtarisë së vet, vetëm ose në bashkëpunim me subjekte të tjera, brenda dhe jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.

 

  1. Agjencia në realizimin e qëllimit të vet është e hapur për bashkëpunim për çdo subjekt e individ, brenda dhe jashtë vendit, që kontribuon me çfarëdolloj forme në përmbushjen e objektivave të këtij qëllimi.

 

Neni 3

Fusha e veprimtarisë

Në përmbushje të qëllimit të saj, Agjencia angazhohet në kryerjen e veprimtarive si vijon:

 

  1. Monitorimi i shfaqjes së filmit artistik, dokumentar dhe çdo vepre audiovizuale me të drejta të anëtarëve të Agjencisë nga transmetuesit lokalë, kombëtarë dhe të huaj dhe mbledhja e shpërblimeve të të drejtës së autorit, për anëtarët e vet; autorë ose bashkëautorë të këtyre veprave;

 

  1. Përfaqësimi i interesave lidhur me të drejtat e autorit të secilit anëtar të Agjencisë përpara institucioneve shtetërore dhe subjekteve private sipas dhënies së autorizimit/kontratë për përdorim të objektit të së drejtës së autorit të nënshkruar ndërmjet Agjencisë dhe anëtarit, si dhe mbi bazën e një prokure të lëshuar nga anëtari;

 

  1. Përfaqësimi i anëtarëve të Agjencisë në procedurat gjyqësore ose administrative dhe kryerja e çdo veprimi tjetër ligjor të nevojshëm për mbrojtjen dhe zbatimin e të drejtave të administruara nga Agjencia;

 

  1. Përcaktimi i tarifave të shpërblimit të të drejtës së autorit, për transmetimin e veprave audiovizuale nga operatort, në të cilat anëtarët e Agjencisë janë autorë ose bashkëautorë;

 

  1. Mbledhja e tarifave të shpërblimit, në emër dhe për llogari të anëtarëve, nga transmetuesit që shfaqin veprat me autorësi ose bashkëautorësi të anëtarëve të vet, sipas pjesëve të caktuara në veprat përkatëse të anëtarëve dhe kalimin e mjeteve monetare të përftuara tek autorët-anëtarë sipas kushteve të kontratës individuale midis seicilit anëtar dhe Agjencisë;

 

  1. Nisja dhe mbarëvajtja e procedurave të mbrojtjes në rastet e shkeljes së të drejtave që Ajencia u administron anëtarëve të saj;

 

  1. Kryerja e studimeve/publikimeve të ndryshme në lidhje me objektin e aktivitetit të saj, duke mbajtur parasysh se shpenzimet totale të Agjencisë nuk mund të përbëjnë më shumë se 30% e shpërblimeve të shpërndara;

 

  1. Organizimi i aktiviteteve publike me karakter sensibilizues dhe informues në funksion të përmbushjes së aktivitetit të saj;

 

  1. Në aktivitetin e saj, Agjencia mbpshtetet në parimin e transparencës, parimin e evitimit të konfliktit të interesit në organet drejtuese, si dhe parimin e mosdiskriminimit të autorëve-anëtarë, si dhe përdoruesve të të drejtave të autorit dhe të drejtave të tjera të lidhura me to.

 

  1. Tarifat e shpërblimeve të mbledhura nga përdoruesit, të cilat në përfundim të vitit financiar nuk shpërndahen nga agjencia FMAA, depozitohen në një fond special për llogari të ministrisë përgjegjëse për të drejtat e autorit, në dispozicion të titullarëve të të drejtave të autorit dhe të të drejtave të tjera të lidhura me to për një periudhë 3-vjeçare. Gjatë kësaj periudhe, nëse agjencia identifikon mbajtësin e së drejtës, siguron shpërndarjen dhe përfiton edhe tarifën e administrimit. Në rast se mbajtësi nuk identifikohet për një periudhë trevjeçare, fondi special i kalon ministrisë përgjegjëse për të drejtat e autorit, e cila do ta përdorë në përmbushje të objektivave të saj për rritjen e krijimtarisë dhe diversitetin kulturor.

Neni 4

Ndalimi i shpërndarjes së fitimit

 

Nuk lejohet asnjë formë e shpërndarjes së fitimit ose e përfitimit material e financiar, nga të ardhurat e Agjencisë prej personave, që janë subjekte që emërohen apo punësohen në Agjenci nëpërmjet dispozitave të këtij Statuti, përveç detyrimeve në formën e pagesave, rrogave, shpërblimeve, honorareve dhe kompensimeve, që rrjedhin nga kontrata e punës/shërbimit/ bashkëpunimit ose kontrata të tjera për kryerjen e shërbimeve për llogari të Agjencisë. Këtu nuk përfshihet shpërndarja e shpërblimeve të anëtarëve të Agjencisë, të cilët duhet të jenë autorë sipas përcaktimit të bërë në nenin 1, pika 2 të këtij Statuti.

Neni 5

Kohëzgjatja

 Agjencia ngrihet dhe do të funksionojë për një afat kohor të pacaktuar. Përfundimi i veprimtarisë bëhet me vendim të Asamblesë së Përgjithshme të Agjencisë ose në rast se janë rrethanat me vendim të Gjykatës së rrethit gjyqësor Tiranë, sipas kushteve të parashikuara në nenin 44 të ligjit Nr. 8788 dt. 7/5/2001 “Për Organizatat Jofitimprurëse”, të ndryshuar. Kokëzgjatja e licences per agjencine e administrimit kolektiv të lëshuar nga Ministria e Kulturës ka një afat 3 vjaçar.

Neni 6

Organet drejtuese

Organet e Agjencisë F.M.A.A. janë:

  1. Asambleja e Përgjithshme;
  2. Bordi Drejtues;
  3. Drejtori Ekzekutiv.

 

Neni 7

 Asambleja e Përgjithshme

 

  1. Asambleja e Përgjithshme është organi më i lartë i Agjencisë. Ajo përbëhet nga të gjithë anëtarët e Agjencisë, që kanë lidhur kontratën me Agjencinë, konform rregullave të përcaktuara në Statut.

 

  1. Asambleja e Përgjithshme, e cila si rregull duhet të mblidhet një herë në vit, ka këto kompetenca:

 

  1. përgatit propozimet eventuale në statut dhe i dërgon ato për miratim nga ministri përgjegjës për të drejtat e autorit,
  2. miraton dhe ndryshon Rregulloren e Agjencisë;
  3. b) vendos lidhur me drejtimet kryesore të veprimtarisë së Agjencisë;
  4. c) diskuton dhe miraton raportet lidhur me veprimtarinë e organeve të tjera drejtuese të Agjencisë;
  5. d) zgjedh Bordin Drejtues të Agjencisë F.M.A.A.;
  6. e) monitoron performancën e organeve drejtuese të Agjencisë dhe miraton përfitimet monetare dhe jomonetare, si dhënie pensionesh apo titujsh, të drejta dhe shpërblime të tjera ose të drejtat për pagesa kalimtare, etj;
  7. f) përjashton nga Agjencia anëtarët, që nuk respektojnë dispozitat e këtij statuti dhe kanë shkelur në vijimësi kontratën me Agjencinë. Propozimi i paraqitet Asamblesë nga Bordi Drejtues në formën e një raporti të arsyetuar lidhur me rastet përkatëse;
  8. g) miraton masën dhe mënyrën e derdhjes së kuotizacionit vjetor të anëtarëve të Agjencisë dhe shpërndarjen e shpërblimeve të mbledhura sipas tarifave të caktuara nga Bordi Drejtues i Agjencisë;
  9. gj) miraton çdo blerje, shitje ose hipotekim të pasurisë së paluajtshme;
  10. h) vendos shpërndarjen e Agjencisë.

 

Neni 8

Organizimi i Mbledhjes së Asamblesë së Përgjithshme

 

  1. Asambleja e Përgjithshme thirret të paktën një herë në vit me vendim të Bordit Drejtues së Agjenicsë.

 

  1. Njoftimet për mbledhjen bëhen nga Drejtori Ekzekutiv i cili bashkë me njoftimin për datën, orën dhe vendin e mbledhjes dërgon edhe rendin e ditës për mbledhjen.

 

  1. Njoftimi bëhet jo më vonë se një muaj para datës së caktuar për mbledhjen e Asamblesë së Përgjithshme.

 

  1. Asambleja e Përgjithshme mund të thirret edhe me kërkesë të 1/3 të anëtarëve të saj.

 

  1. Mbledhjet e Asamblesë së Përgjithshme të Agjencisë janë të vlefshme kur në to marrin pjesë më shumë se gjysma e anëtarëve.

 

  1. Asambleja e Përgjithshme i merr vendimet e saj me shumicën e thjeshtë të anëtarëve të pranishëm në mbledhje.

 

  1. Vendimet për ndryshimin e Statutit dhe Rregullores së Agjencisë, për përjashtimin e anëtarëve të Agjencisë si dhe për shpërndarjen e Agjencisë merren me 2/3 (dy të tretat) e votave të të gjithë anëtarëve.

 

  1. Asambleja miraton shpërndarjet e të ardhurave të gjithë vitit, raportin mbi aktivitetin e përgjithshëm të Agjencisë dhe masën në përqindje të kostove të administrimit për mbledhjen dhe shpërndarjen e shpërblimeve për anëtarët e cila në çdo rast nuk duhet t’i kalojë 25% të totalit të shpërblimit të mbledhur për secilin anëtar. vendos të paktën për politikën e përgjithshme për shpërndarjen e shpërblimeve ndaj mbajtësve të të drejtave dhe shpenzimeve të administrimit të të drejtave

 

  1. Tekstet e rezolutave të propozuara dhe të gjitha dokumentat e tjera të nevojshme për informimin e anëtarëve iu vihen në dispozicion sipas kërkesës së tyre para votimit.

Neni 9

Bordi Drejtues i Agjencisë F.M.A.A.

 

  1. Anëtarët e Bordit Drejtues të Agjencisë zgjidhen në mbledhjen e Asamblesë së Përgjithshme me votë të fshehtë për një afat kohor 4 vjeçar me të drejtë rizgjedhjeje.

 

  1. Bordi Drejtues përbëhet prej 5 anëtarësh me të drejtë rizgjedhjeje.

 

  1. Quhen të zgjedhur si anëtarë të Bordit ata persona të cilët marrin numrin më të madh të votave të Asamblesë së Përgjithshme.

 

  1. Bordi Drejtues drejton veprimtarinë e Agjencisë në periudhën kohore midis dy mbledhjeve të Asamblesë së Përgjithshme. Bordi Drejtues i Agjencisë ushtron kompetencat e mëposhtme:

 

  1. a) vendos lidhur me mënyrën e zbatimit të strategjive afatgjata, të miratuara nga Asambleja e Përgjithshme, mënyrën e përmbushjes së qëllimeve të Agjencisë në përgjithësi;
  2. b) përcakton prioritetet për projektet dhe financimin e tyre;
  3. c) përcakton rregulla për veprimtarinë financiare të Agjencisë, shpërndarjen sipas tarifave të mbledhura dhe shpërblimeve për anëtarët dhe ia propozon këto Asamblesë; si dhe mbikqyr zbatimin e tyre;
  4. d) përcakton rregullat e funksionimit, strukturën, përshkrimin e punës dhe pagat e administratës së Agjencisë, honoraret dhe shpërblimet për ekspertët që angazhohen në veprimtaritë e Agjencisë me propozim të Drejtorit Ekzekutiv.
  5. e) përcakton dhe i propozon për miratim Asamblesë masën dhe mënyrën e derdhjes së kuotizacionit vjetor të anëtarëve;
  6. f) miraton formatin e kontratës që lidhet mes Agjencisë dhe çdo anëtari të saj. Bordi Drejtues autorizon me shkrim Drejtorin Ekzekutiv për nënshkrimin e kontratave individuale;
  7. g) përcakton tarifat për transmetimin e veprave në bashkëautorësi të anëtarëve të Agjencisë;
  8. h) informon, sipas kërkesës, anëtarët për mënyrën e shfrytëzimit të të drejtave të tyre, për raportin vjetor financiar dhe atë të kontrollit të të ardhurave financiare, brenda një afati kohor 1 (një) vjeçar;
  9. i) kontrollon dhe miraton administrimin financiar dhe ekonomik të Agjencisë;
  10. j) përcakton masën e shpërblimit mujor të Drejtorit Ekzekutiv dhe shpërblimet vjetore të anëtarëve të vet.

 

  1. Bordi Drejtues i Agjencisë mblidhet jo më pak se 4 herë në vit dhe i merr vendimet e saj me shumicën e votave të anëtarëve të pranishëm.

 

  1. Mbledhjet e Bordit Drejtues janë të vlefshme kur në to marrin pjesë të paktën 3 anëtarë. Vendimet merren me shumicën e votave. Në rastet e barazisë së votave, vota e Drejtorit Ekzekutiv përcakton shumicën.

 

  1. Në rast se krijohet një vend vakant në Bord përpara përfundimit të mandatit, Asambleja e Përgjithshme zgjedh një anëtar të ri zëvendësues në mbledhjen e vet të radhës. Anëtari i ri shërben në detyrë deri në përfundim të mandatit të anëtarit që zëvendëson.

Neni 10

Drejtori Ekzekutiv i F.M.A.A.

 

  1. Bordi Drejtues, në mbledhjen e tij të parë, zgjedh nga rradhët e saj një Drejtor Ekzekutiv. Drejtori Ekzekutiv drejton mbledhjet e Bordit Drejtues dhe veprimtarinë e përditshme të Agjencisë.

 

  1. Drejtori Ekzekutiv i Agjencisë F.M.A.A. kryen funksionet e mëposhtme:
  2. a) drejton veprimtarinë e Agjencisë në periudhën kohore midis mbledhjeve të Bordit Drejtues;
  3. b) drejton mbledhjet e Bordit Drejtues dhe kontrollon zbatimin e vendimeve të marra prej tij;
  4. c) përfaqëson Agjencinë para organeve shtetërore si dhe në marrëdhëniet me të tretët;
  5. d) harton dhe i propozon Bordit Drejtues rregullat e funksionimit, strukturën, përshkrimin e punës dhe pagat e administratës së Agjencisë, honoraret dhe shpërblimet për ekspertët që angazhohen në veprimtaritë e Agjencisë;
  6. e) emëron dhe shkarkon personelin sipas rregullave për strukturën e administratës së Agjencisë të miratuar nga Bordi Drejtues;
  7. dh) lidh kontrata shërbimi apo çdo lloj kontrate tjetër me të tretët sipas vendimeve përkatëse të Bordit Drejtues;
  8. f) përgatit raportin e shpërndarjes së shpërblimeve për anëtarët e Agjencisë së bashku me raportin mbi veprimtarinë vjetore të kësaj të fundit dhe ia paraqet për miratim Asamblesë së Përgjithshme.

 

  1. Mandati i Drejtorit Ekzekutiv përkon me mandatin e Bordit Drejtues së Agjencisë, pra është katër vjet, me të drejtë rizgjedhjeje.

 

  1. Bordi Drejtues mund të vendosë shkarkimin dhe zgjedhjen e Drejtorit Ekzekutiv kur për të votojnë pro të paktën 3 anëtarë. Në këtë rast vota e personit të propozuar apo zgjedhur si Drejtor Ekzekutiv, është e pavlefshme.

 

Neni 11

Anëtarët

 

  1. Anëtarësimi në Agjenci është vullnetar dhe i hapur për të gjithë personat madhorë, me zotësi për të vepruar, që janë shtetas shqiptarë dhe gëzojnë cilësinë e titullarit të të drejtave për bashkëautorësinë e veprave audiovizuale në zërin regji, skenar, Drejtor Fotografie, në kuptimin e ligjit nr. 35, datë 31.03.2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”.

 

  1. Anëtarët e Agjencisë në momentin e anëtarësimit pranojnë në parim të drejtën e Agjencisë për mbrojtjen e të drejtave të tyre të autorit sipas rregullave të përcaktuara në këtë statut.

 

  1. Anëtarët e Agjencisë nënshkruajnë kontrata individuale me Agjencinë për autorizimin e kësaj të fundit të bëjë për mbrojtjen e të drejtave të veta si autor në veprat audiovizuale ku janë bashkëautorë.

 

  1. Anëtarët e Agjencisë paguajnë kuotizacion vjetor sipas kuotës së vendosur nga Asambleja e Përgjithshme.

 

  1. Autori-anëtar përfaqësohet në Agjenci me të drejtat e veta në veprat ku është bashkëautor, ose me titujt që gëzon në veprat e përbashkëta me autorë të tjerë, të cilat përcaktohen në kontratën që lidh me Agjencinë.

 

  1. Çdo anëtar ka të drejtën të paraqesë dorëheqjen me shkrim dhe prishjen e kontratës me Agjencinë, të paktën një javë para mbledhjes së Asamblesë së Përgjithsme, kur është njoftuar për organizimin e saj, sipas statutit.

 

  1. Anëtarët, për të cilët është vlerësuar se e drejta e tyre për të marrë informacionin e kërkuar nuk është realizuar, mund t’ia kërkojnë këtë, brenda tri ditëve, komisionit të posaçëm, i përhershëm në lidhje me shqyrtimin e kërkesës për informim, i emëruar nga mbledhja e përgjithshme, që përbëhet nga pesë anëtarë, të cilët nuk janë të punësuar dhe nuk janë pjesë e organeve drejtuese. Komisioni është i detyruar t’i përgjigjet, brenda shtatë ditëve, për bazueshmërinë e këtyre pretendimeve, si ankuesit që ka depozituar ankesën edhe drejtuesit të agjencisë. Komisioni do të hartojë çdo vit një raport për veprimtarinë e tij, i cili do të dorëzohet në mbledhjen e përgjithshme të agjencisë dhe pranë DDA-së.

 

Neni 12

Përfaqësimi ligjor

 

  1. Agjencia F.M.A.A. përfaqësohet në marrëdhëniet me të tretët, qofshin këta persona fizikë apo juridikë, vendas apo të huaj, publikë apo privatë nga Drejtori Ekzekutiv dhe Bordi Drejtues.

 

  1. Drejtori Ekzekutiv mund t’ia delegojë përkohësisht tagrin e përfaqësimit një anëtari tjetër të Bordit Drejtues të caktuar prej tij me anë të një autorizimi me shkrim, ku të jenë përcaktuar taksativisht kompetencat, që ka deleguar dhe shtrirjen kohore të veprimtarisë së delegimit.

 

  1. Drejtori Ekzekutiv dhe në mungesë të tij një anëtar i Bordit Drejtues me autorizim të këtij të fundit dhe dhe miratimin me shkrim të Drejtorit Ekzekutiv, në rast mungese të përkohshme (jo më shumë se 3 muaj) nga detyra e Drejtorit Ekzekutiv, përfaqësojnë ligjërisht Agjencinë në rast konfliktesh gjyqësore ose marrëdhënie të tipit kontraktual me të tretët.

 

  1. Në rastin kur përfaqësimi kryhet nga një antar i Bordit Drejtues, ky i fundit raporton veprimet e tij në mbledhjen me të parë të Bordit Drejtues.

 

Neni 13

Të ardhurat, financimi dhe administrimi i fondeve të Agjencisë F.M.A.A.

 

  1. Asambleja e Përgjithshme miraton rregullat dhe modalitetet për administrimin e fondeve dhe të ardhurave të Agjencisë.

 

  1. Asetet financiare dhe materiale të Agjencisë menaxhohen nga Drejtori Ekzekutiv.

 

  1. Bordi Drejtues i Agjencisë mbikqyr respektimin e rregullave dhe modaliteteve të miratuara nga Asambleja e Përgjithshme për administrimin e fondeve dhe të ardhurave të Agjencisë.

 

  1. Kapitali i Agjencisë është i ndryshueshëm. Ai formohet nga:

 

  1. a) shumat që vijnë nga kuotat e pranimit të anëtarëve,
  2. b) nga përqindja e të ardhurave për kostot administrative, që mban Agjencia nga mbledhja e tarifave të shpërblimeve për transmetimin e veprave të anëtarëve, të cilat caktohen çdo vit nga Bordi Drejtues dhe miratohen nga Asambleja, Shpenzimet totale të FMAA nuk mund të përbëjnë më shumë se 30 për qind të shpërblimeve të shpërndara. Shuma e përgjithshme e shpenzimeve do të përfshijë edhe mjetet financiare të shpenzuara në përmirësimin e sistemit të administrimit dhe mbrojtjes së të drejtës së autorit dhe të të drejtave të lidhura me të. Përveç shpenzimeve të tilla të bëra, organet e agjencisë FMAA mund të vendosin për të shpenzuar maksimumi 3 për qind të shumës totale të shpërblimeve të grumbulluara mbi masat kundër piraterisë dhe falsifikimit, si dhe për masat e tjera që kanë për qëllim rritjen e ndërgjegjësimit të vlerës së të drejtës së autorit dhe të të drejtave të lidhura me të
  3. c) dhuratat, sponsorizimet ose financimet që bëhen për Agjencinë nga të tretët.

 

  1. Financimi i veprimtarisë së Agjencisë kryhet nga fonde që sigurohen nga:
  2. a) kuotizacionet e anëtarëve dhe përqindjet mbi tarifat e vjelura nga transmetimi i veprave të anëtarëve të Agjencisë sipas marrëveshjes individuale midis tyre dhe Agjencisë, e caktuar për mbajtjen e kostove administrative sipas pikës 4 më sipër,
  3. b) dhurime, ndihma, sponsorizime dhe financime nga persona, subjekte e institucione publike e private, brenda apo jashtë vendit, të depozituara në mënyrë të drejtëpërdrejtë e pa kushte për llogaritë e Agjencisë;
  4. c) interesat e siguruara nga depozitat bankare;
  5. d) veprimtaritë ekonomike të Agjencisë të lejuara sipas ligjit;
  6. e) nga financime e burime të tjera të ligjshme.
  7. Administrimi i fondeve apo pasurive ekzistuese ose që do t’i shtohen Agjencisë në të ardhmen kryhet sipas Ligjit Nr. 8788, datë 07.05.2001 “Për Organizatat Jofitimprurëse”, të ndryshuar, Statutit dhe rregullores së Agjencisë, si edhe kontratës apo marrëveshjes me financuesit nëse ka.

 

  1. Agjencia mban dokumentacionin kontabël për të gjithë veprimtarinë ekonomike të ushtruar prej saj sipas standardeve përkatëse të përcaktuar nga legjislacioni shqiptar në fuqi.

 

  1. Agjencia ka llogaritë e saj bankare, për çeljen ose mbylljen e të cilave merr vendim Bordi Drejtues me propozim të Drejtorit Ekzekutiv.

 

  1. Viti financiar i Agjencisë korrespondon plotësisht me vitin kalendarik që fillon më 1 Janar dhe mbaron më 31 Dhjetor të çdo viti.

 

Neni 14

Marrëdhëniet e Punës

 

Punësimi në administratën e Agjencisë rregullohet nga dispozitat e Kodit të Punës të Republikës së Shqipërisë. Struktura e administratës së Agjencisë përcaktohet nga Drejtori Ekzekutiv dhe miratohet nga Bordi Drejtues, duke respektuar rregullat e përcaktuara në këtë Statut dhe në Rregulloren e Agjencisë për administrimin dhe kreyrjen e shpenzimeve.

 

 

Neni 15

Konflikti i Interesave dhe Marrëveshjet e Ndaluara

 

  1. Ndalohet çdo konflikt i interesave ndërmjet Agjencisë dhe anëtarit të organit vendimmarrës, ekzekutiv ose punonjësit të saj.

 

  1. Asnjë anëtar i organeve drejtuese të Agjencisë nuk mund të marrë pjesë në një proces vendimmarrës në lidhje me të cilin ai/ajo ka interes personal direkt ose indirekt.

 

  1. Transaksionet ekonomike dhe marrëveshje të tjera ndërmjet Agjencisë dhe një anëtari të organeve vendimmarrëse dhe ekzekutive ose një punonjësi të saj, mund të lejohen vetëm nëse ato lidhen për të përmbushur një qëllim ose objekt të veprimtarisë së Agjencisë, vetëm nëse janë të drejta dhe në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe rregullat e Agjencisë.

 

  1. Këto marrëvëshje dhe transaksione lejohen vetëm nëse shqyrtohen paraprakisht dhe miratohen nga Bordi Drejtues. Personat e interesuar duhet të përjashtohen nga diskutimet dhe votimi për marrëveshjen ose transaksionin.

 

 

Neni 16

Përgjegjësia ndaj të tretëve

 

Anëtarët e Bordit Drejtues, Drejtori Ekzekutiv si edhe punonjësit e administratës së Agjencisë nuk përgjigjen individualisht për detyrimet e kësaj të fundit ndaj të tretëve, me përjashtim të rasteve, kur personalisht i kanë shkaktuar dëm të tretëve gjatë ushtrimit të detyrës, me dashje ose nga pakujdesia apo vetbesimi në shkeljeve të ligjit dhe Statutit e Rregullores së Agjencisë.

Neni 19

Transformimi, ndarja dhe bashkimi

 

  1. Agjencia ka të drejtë të transformohet në një organizatë tjetër me vendim të Asamblesë së Përgjithshme dhe konsiderohet e shpërndarë me regjistrimin e subjektit të ri apo vendimit të bashkimit që pasqyrohet në rregjistrin e OJF-ve në gjykatë.

 

  1. Asambleja e Përgjithshme vendos për transformimin e Agjencisë në një Agjenci tjetër ose bashkimin e saj me një Agjenci tjetër me 2/3 e votave të të gjithë anëtarëve në rastet e mëposhtme:
  2. a) Agjencia nuk realizon qëllimin për të cilin është krijuar;
  3. b) Agjencia parashikon se nuk arrin të sigurojë mjetet e nevojshme financiare për realizimin e qëllimit.

Me anë të një marrëveshjeje me shkrim agjencia mund të bjerë dakort me agjenci të tjera dhe vendosë se cilës prej tyre do t’i transferohet funksioni i mbledhjes së tarifave për të gjitha kategoritë e mbajtësve të të drejtave. Nëse kjo nuk arrihet, zbatohet ligji në fuqi për të drejtën e autorit

Neni 20

Shpërndarja

 

  1. Agjencia shpërndahet me iniciativën e saj me vendimmarrje të Asamblesë me 2/3 e votive të të gjithë anëtarëve.

 

  1. Anëtarët e Agjencisë si dhe organet drejtuese mund t’i kërkojnë gjykatës shpërndarjen e Agjencisë në rastet e mëposhtme:
  2. a) veprimtaria e Agjencisë vjen në kundërshtim me Kushtetutën;
  3. b) Agjencia kryen veprimtari të kundërligjshme;
  4. c) Agjencia nuk është themeluar sipas kërkesave të ligjit;
  5. d) Agjencia ka falimentuar sipas ligjit për falimentimin.

 

  1. Në rast se Agjencia shpërndahet me iniciativën e saj, jo më vonë se një javë nga data e vendimit të Asamblesë së Përgjithshme për shpërndarjen, Bordi Drejtues cakton dy likuidatorë me profesion respektivisht jurist dhe ekonomist.

 

  1. Likuidatorët kanë autoritet të plotë mbi asetet e Agjencisë dhe për përfaqësimin e saj në marrëdhëniet me të tretët që nga dita e emërimit të tyre.

 

Neni 22

Shpërndarja me vendim gjykate

 

Gjykata mund të vendosë shpërndarjen e Agjencisë, në rrethanat e parashikuara në lig. Në rast shpërndarje të Agjencisë me vendim të Gjykatës, të gjitha kompetencat që ka Bordi Drejtues lidhur me shpërndarjen e likujdimin, i kalojnë Gjykatës, sipas procedurës së përcaktuar në ligj.

 

Neni 22

Destinacioni i pasurisë pas mbylljes së Agjencisë

 

Në rast se Asambleja e Përgjithshme vendos për mbarimin e aktivitetit të Agjencisë, Bordi Drejtues i saj vendos për destinacionin e pasurive të Agjencisë në favor të një ose disa organizatave jo fitimprurëse me qëllime dhe aktivitete të ngjashme.

 

Në asnjë rast nuk mund të vendoset shpërndarja e pasurisë së Agjencisë tek themeluesit, anëtarët, stafi, donatorët dhe të afërmit e tyre.

 

 

Neni 23

Likujdimi

 

Likujduesi përfaqëson Agjencinë dhe ka të gjithë përgjegjësitë e kompetencat e nevojshme mbi pasurinë e Agjencisë, që nga dita e emërimit deri në likujdimin përfundimtar.

 

Likujduesi është i autorizuar të paguajë të gjithë kreditorët dhe më pas të vlerësojë pasurinë e mbetur dhe të kujdeset, që kjo pasuri të shkojë në destinacionin e përcaktuar nga Statuti, Bordi Drejtues, ligji apo vendimi i Gjykatës.

 

Likujduesi brenda 2 muajve nga data e emërimit të tij, thërret mbledhjen e Bordit Drejtues dhe i paraqet këtij të fundit raportin mbi gjendjen financiare, aktivin dhe pasivin e  Agjencisë, përpara se të fillojë operacioni i likuidimit.

 

Raporti përfundimtar i përgatitur nga likuidatorët miratohet nga Bordi Drejtues dhe më pas kjo e fundit kërkon çregjistrimin e Agjencisë në gjykatë kompetente. Kur Bordi Drejtues refuzon miratimin e Raportit Përfundimtar, çështja zgjidhet nga gjykata kompetente.

 

Bordi Drejtues pas miratimit të Raportit Përfundimtar të likuidimit, merr vendim për shpërndarjen, në të cilin përcakton organizatat jofitimprurëse, brenda apo jashtë Shqipërisë, të cilave do t’u kalojë pasuria e mbetur si dhe pjesën takuese të secilës.

 

Përjashtim nga ky rregull përbëjnë të gjitha organizatat me të cilat Agjencia ka pasur projekte dhe programe të përbashkëta, të cilave në mënyrë preferenciale u kalojnë 40% e aktivit.

 

Neni 24

Zgjidhja e mosmarrëveshjeve

 

Çdo mosmarrëveshje midis organeve vendimmarrëse dhe Agjencisë, ose ndërmjet tyre dhe të punësuarve, si dhe midis Agjencisë dhe të tretëve zgjidhet me mirëkuptim. Në të kundërt Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë është gjykata kompetente për zgjidhjen e tyre.

 

Neni 25

Ndryshimet në Statut

 

Çdo ndryshim i këtij Statuti si dhe miratimi e ndryshimi i Rregullores së Agjencisë të miratuar në zbatim të tij, bëhet nga Asambleja e Përgjithshme me 2/3 e votave të të gjithë anëtarëve, në bazë të propozimit të miratuar paraprakisht dhe të paraqitur në Asamble nga Bordi Drejtues.

Çdo propozim për ndryshimin e statutit është objekt i miratimit nga ministri përgjegjës për të drejtat e autorit

Propozimet për ndryshimin e këtij Statuti mund të bëhen edhe nga ¼ e të gjithë anëtarëve të Agjencisë, me kusht që në këtë rast ky propozim t’i paraqitet Asamblesë së Përgjithshme së bashku me mendimin e shprehur në një relacion të miratuar nga ana e Bordit Drejtues lidhur me propozimin në fjalë.